Pse është e rëndësishme Dita e Rrëshajave (ose Pentakost)?
Në Dhiatën e Vjetër, Rrëshajët ishte një festë e mbajtur 50 ditë pas festës hebraike të Pashkës (shih Levitiku 23:16, Eksodi 34:22). Në Dhiatën e Re mund të lexojmë se pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit në ditën e Rrëshajëve, Fryma e Shenjtë erdhi fuqishëm mbi dishepujt e Tij. Fryma u mundësoi të flisnin gjuhë të huaja që nuk i kishin mësuar. Kjo ishte në mënyrë që ata të mund t’u predikonin me guxim ungjillin atyre që u mblodhën në Jerusalem për festën e Rrëshajëve (Veprat e Apostujve 2). Ngjarjet që lidhen me ditën e Rrëshajëve në Veprat 2 kanë disa kuptime të rëndësishme për të krishterët sot.
1. Prania e Jezusit me ne
Pas ringjalljes së Tij, Jezusi premtoi se do të ishte gjithmonë me dishepujt (Mateu 28:20). Pastaj Ai i la ata dhe u ngjit në qiell (Lluka 24:51). Sidoqoftë, fryma e Jezusit (domethënë Fryma e Shenjtë) erdhi mbi dishepujt në Rrëshajë, duke përmbushur premtimin e Jezusit për të qenë gjithmonë me dishepujt.
2. Ungjilli për të gjithë popujt
Para ardhjes së Jezusit, një person duhej të ishte hebre që t’i përkiste popullit të Perëndisë. Ose duhej të konvertoheshe në judaizëm, duke përfshirë kulturën, zakonet, traditat e tij, etj. Megjithatë, shpallja e mbinatyrshme e Ungjillit në gjuhë të tjera në Ditën e Rrëshajëve ishte mënyra e Perëndisë për të shpallur fuqishëm se Ungjilli është për të gjithë popujt, kulturat dhe gjuhët. Njerëzit e çdo kulture ose gjuhe mund të jenë popull i Zotit. Ata nuk duhet të konvertohen në judaizëm. Ata mund të qëndrojnë në kulturën e tyre, dhe të përdorin gjuhën e tyre dhe prapë të jenë besimtarë. Edhe më shumë se kaq, Perëndia tani po i thërret të gjithë njerëzit kudo që të pendohen dhe të besojnë ungjillin (Veprat 2:38-39).
3. Fuqia për të dëshmuar
Dishepujt ishin të frikësuar dhe ende nuk e predikuan ungjillin gjerësisht para Rrëshajëve. Jezusi e dinte këtë dhe u tha atyre se Ai do të dërgonte Frymën e Tij të Shenjtë (Luka 24:49, Gjoni 14:16-18). Në atë mënyrë, ata do të merrnin fuqinë për të qenë dëshmitarë të Zotit të tyre të ringjallur, Jezu Krishtit, në mbarë botën (Veprat 1:8). Para Rrëshajëve, Fryma nuk mungonte pasi Ai ishte i përfshirë në krijimin (Zanafilla 1:2) dhe lindjen e re të të zgjedhurve të Perëndisë në mënyrë që ata të besonin në Të (Gjoni 3:8, Titi 3:5). Por në Rrëshajë, Fryma erdhi shumë më fuqishëm mbi dishepujt e Jezusit dhe tani banon (dhe fuqizon) të gjithë dishepujt e Jezusit sot (Efesianëve 1:13-14). Ardhja e Frymës në Rrëshajë dhe ngjarjet e veçanta të asaj ditë ishin një ngjarje e njëhershme. Por Fryma vazhdon të jetë e pranishme më të gjithë të krishterët, duke u mundësuar atyre që t’u tregojnë të tjerëve për Krishtin dhe të jetojnë jetën e krishterë.
4. Fryma e Shenjtë dhe efekti i dëshmisë së Ungjillit
Derdhja e Frymës së Shenjtë është gjithashtu një bekim në një mënyrë tjetër. Nuk është për shkak të apostujve që kaq shumë njerëz u penduan dhe filluan të besojnë në Krishtin Jezus. Asnjë apostull ose predikues ose dëshmitar i Ungjillit nuk mund të ndryshojë zemrën e dikujt tjetër. As një dëgjues i Ungjillit nuk mund ta ndryshojë zemrën e tij ose të saj. Por Fryma e Shenjtë përdor Ungjillin e Jezu Krishtit për të krijuar jetë të re te njerëzit (Gjoni 3:8). Si rezultat i asaj pune përtëritëse të Frymës, njerëzit fillojnë të pranojnë mëkatet e tyre dhe të kërkojnë shpëtimin në Jezu Krishtin, i cili u kryqëzua dhe u ringjall nga të vdekurit.
5. Ne po jetojmë në kohët e fundit
Pasi Fryma erdhi në Rrëshajët, Pjetri u ngrit dhe u shpjegoi atyre që dëgjonin për kuptimin e asaj që kishin parë dhe shpjeguar. Shpjegimi i tij është në Veprat e Apostujve 2:14-36. Shkurtimisht, ai tha se ardhja e Frymës ishte përmbushja e profecive të Dhiatës së Vjetër rreth asaj që do të ndodhte kur Mesia (Jezu Krishti) të vinte në fund të kohës. Ngjarjet e mahnitshme të Rrëshajëve paralajmërojnë fillimin e fundit të botës. Shumë njerëz mendojnë për fundin e botës si diçka në të ardhmen e largët, por në Bibël, fundi i botës (ose kohët e fundit) është një periudhë e gjatë kohore, duke filluar me ardhjen e parë të Krishtit 2000 vjet më parë dhe duke përfunduar me ardhjen e dytë të Krishtit, kur Ai të kthehet për të gjykuar botën. Çdo gjë midis ardhjes së parë dhe të dytë të Krishtit konsiderohet si koha e fundit. Ardhja e Frymës në Rrëshajët ishte një shenjë se fundi i botës po vjen.