Thellë brenda çdo qenieje njerëzore ekziston një vetëdije për Zotin. Dëshira për t’a gjetur Atë. Dhe çdo fe është një kërkim për Zotin. Megjithatë, dallimet midis feve në të menduarit e tyre për Zotin, janë të shumta!

 

Njohja e së vërtetës është e rëndësishme për jetën

  • Në Budizëm nuk ka një Zot personal. Bëhet fjalë për mësimin e Budës për t’u çliruar nga rrota e rimishërimit.
  • Në hinduizëm ka më shumë se 1000 perëndi. Brahma, Vishnu dhe Krishna janë më të rëndësishmet.
  • Në Islam, Allahu nuk ka djalë. Isai është vetëm një profet.
  • Në krishtërim, Jezusi është Biri i Perëndisë, i cili erdhi në tokë si Shpëtimtari ynë.

Por cila fe është e drejtë? Është e lehtë të thuash: “Nuk ka shumë rëndësi se në cilën fe beson një person. Të gjithë po shkojnë në të njëjtin drejtim. Për sa kohë që ne pranojmë besimet e njëri-tjetrit, do të jetë në rregull.” Por kjo është shumë e lehtë! Sigurisht që është gjë e mirë të respektojmë njëri-tjetrin. Por kur bëhet fjalë për fenë, është me rëndësi jetësore të dihet e vërteta. “Kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Është thjesht e pamundur të barazohen të gjitha fetë. Ato janë shumë të ndryshme. Vetëm një mund të jetë e vërtetë.

 

Veçantia e misionit të Jezusit

Çfarë është kaq unike tek mesazhi i Biblës? Çfarë është kaq e veçantë për Jezusin? Një herë lexova: “Ka shumë njerëz që do të donin të ishin zot, por ka vetëm një Zot që ishte i gatshëm të bëhej burrë.” Kjo godet një pikë qendrore të ndryshimit. Ndërsa në shumicën e feve sfida është se ne duhet të ngjitemi te Perëndia, në Bibël zbulojmë se Zoti zbriti te njerëzimi. Ekziston një histori e vjetër që e bën të qartë:

“Një herë ishte një burrë, i cili ra në një gropë të thatë. Ishte e pamundur që ai të dilte jashtë. Pastaj dëgjoi hapa dhe pa fytyrën e Budës. Ai kërkoi ndihmë dhe Buda tha: Kjo është karma juaj. Shfrytëzojeni këtë mundësi për t’u shkëputur nga të gjitha dëshirat. Pak më vonë erdhi Muhamedi. Ai kërkoi ndihmë. Muhamedi tha: Vullneti i Zotit është i përsosur dhe ju duhet ta pranoni atë. Një nga një, të gjithë udhëheqësit fetarë erdhën dhe u dhanë këshilla. Më në fund erdhi Jezusi. Ai nuk tha asgjë, por zbriti në gropë, e mori njeriun në krahë dhe e bekoi. Pastaj e la të ngjitej mbi supet e Tij, që të mund të dilte nga gropa. Burri ishte mirënjohës dhe i lumtur: ai ishte përsëri i lirë! Atëherë ai e kuptoi se Jezusi kishte zënë vendin e tij në gropë”.

 

Jezusi është e vetmja rrugë drejt Zotit

Bibla thotë në 2 Korintasve 5:21 për Jezusin: “Perëndia bëri që të jetë mëkat për ne atë që nuk kishte mëkat, që në Të të bëhemi drejtësia e Perëndisë.” Dhe vetë Jezusi tha te Gjoni 14:6: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” Nëpërmjet Jezusit, ju mund të vini te Perëndia. Ai të ngre nga gropa e mëkatit dhe të kthen te Perëndia. Ky është mesazhi unik i Biblës, i cili nuk mund të krahasohet me fetë e tjera.

(C) Copyright Fokusi / Fjalebiblike.net

 

Loved this? Spread the word


Shkrime të tjera