Ka ngjashmëri në mënyrën se si muslimanët dhe të krishterët e shohin Zotin. Të dy besojnë në një Zot, i cili ka krijuar universin. Ka disa ngjashmëri mes librit të muslimanëve, Kuranit dhe Biblës. Në të dy librat mund të gjenden njerëz si Abrahami, Moisiu dhe Davidi. Zoti është sovran, i gjithëpranishëm dhe i gjithëfuqishëm si për myslimanët ashtu edhe për të krishterët. Gjithashtu Jezusi gjendet edhe në Kuran edhe në Bibël.

Jezusi nuk është thjesht një profet
Sidoqoftë, ekziston një ndryshim thelbësor midis dy pikëpamjeve.
Të krishterët besojnë në Jezusin si Shpëtimtarin, Birin e Perëndisë që erdhi për të mbajtur dënimin e mëkatit (Gjoni 3:16). Ai nuk është thjesht një profet, siç e shohin muslimanët. Të krishterët besojnë se Jezusi është Zoti i mishëruar (Kolosianëve 1:15-17, 19). Jezusi është qendra e besimit të krishterë: gjithçka varet nga ai. Ai mundi mëkatin dhe vdekjen dhe na pajtoi me Perëndinë Atë (Kolosianëve 1:20). Ai u ringjall prej së vdekurish dhe po ashtu, të gjithë ata që kanë besim tek ai do të ringjallen prej së vdekurish (1 Korintasve 15:20-23).

Fryma e Shenjtë është e rëndësishme
Fryma e Shenjtë është gjithashtu jetike në besimin e krishterë. Pa veprën e Frymës së Shenjtë në jetën e një besimtari, njohja e vërtetë e Zotit është e pamundur (Gjoni 16:13, 14). Është nëpërmjet Frymës që besimtari është në gjendje të kuptojë Fjalën e Perëndisë, Biblën. Është nëpërmjet punës së Frymës që besimtari ndryshonnë mënyrën e tij ose të saj të të menduarit dhe të vepruarit, për t’u bërë më shumë si Biri i Perëndisë, Jezusi (Romakëve 8:5,9; Galatasve 5:22).

E vetmja rrugë drejt Zotit
A adhurojnë të krishterët dhe myslimanët të njëjtin Zot? Ekziston vetëm një Zot i vërtetë. Pyetja e vërtetë është, cili grup ka pikëpamjen e duhur se kush është Zoti? Perëndia e ka zbuluar veten në Fjalën e tij, Biblën, dhe ne mund ta njohim atë nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit. Vetë Jezusi pohoi se Ai është e vetmja rrugë drejt Perëndisë (Gjoni 14:6). Kushdo që dëshiron të adhurojë Perëndinë, duhet ta adhurojë Atë në frymë dhe të vërtetë (Gjoni 4:23) – dhe kjo e vërtetë është se Jezusi është Biri i Perëndisë.

Zoti është dashuri
Kjo është një e vërtetë e qartë që na tregohet në çdo faqe të Biblës. Dashuria e Zotit tregohet nëpërmjet sakrificës së Jezusit që vdiq në kryq për të na shpëtuar nga ferri dhe ndëshkimi i përjetshëm (1 Gjonit 4:7-10). Perëndia dëshiron që çdo njeri të shpëtohet dhe të jetë me të (1 Timoteut 2:4) – ne nuk shpëtohemi nga veprat, por nga mëshira dhe hiri i tij (Efesianëve 2:4). Lutemi që të gjithë njerëzit në tokë ta njohin Perëndinë në këtë mënyrë.

 

(C) Copyright: Fokusi/ Fjalebiblike.net

 

Loved this? Spread the word


Shkrime të tjera